Talentet e mëdha shpesh nisin rrugëtimin e tyre nga hapa të vegjël, por me shumë pasion. Një histori e tillë është ajo e Loris Qoses, 15 vjeçarit nga Cërriku, i cili po spikat me rezultate të jashtëzakonshme në matematikë dhe po përfaqëson denjësisht talentin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Së fundmi, Lorisi arriti një sukses të rëndësishëm duke fituar medaljen e artë në një olimpiadë matematike të zhvilluar në Orlando, SHBA, ku u rendit i pari mes 300 konkurrentëve nga 30 vende të ndryshme të botës. Ky është vetëm një nga shumë sukseset e tij. Deri më tani, ai ka marrë pjesë në më shumë se 11 olimpiada rajonale dhe kombëtare, duke arritur rezultate të shkëlqyera dhe duke treguar vazhdimisht potencialin e tij në këtë fushë.
Megjithatë, rrugëtimi i një talenti të ri nuk është gjithmonë i lehtë. Në muajt në vijim, Lorisin e presin disa olimpiada të rëndësishme në Shqipëri dhe jashtë saj, në vende si Azerbajxhani, Rumania dhe në aktivitete të tjera ndërkombëtare. Një nga momentet më të rëndësishme do të jetë pjesëmarrja e tij në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM, e cila do të zhvillohet nga 2 deri më 8 Korrik në Romë. Por pjesëmarrja në këto aktivitete shpesh kërkon mbështetje financiare dhe institucionale, pasi kostot mund të arrijnë deri në mijëra euro.
Për të kontribuar në rrugëtimin e këtij talenti të ri, iute ka vendosur të mbështesë Lorisin duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve të udhëtimit për pjesëmarrjen e tij në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM në Romë. Për iute, mbështetja e të rinjve që tregojnë pasion, përkushtim dhe talent është një mënyrë për të investuar në të ardhmen.
Pas çdo talenti të ri qëndron shpesh edhe një mësues që e ka ndihmuar të zbulojë potencialin e tij. Në rastin e Lorisit, një rol të rëndësishëm ka luajtur mësuesja e matematikës, znj. Flutura Hoxholli, e cila arriti të identifikojë aftësitë e tij që në klasën e gjashtë. Që në atë kohë, ajo kuptoi se Lorisi kishte një nivel përgatitjeje më të avancuar se bashkëmoshatarët e tij dhe ishte në gjendje të zgjidhte ushtrime dhe teste të klasave më të larta.
Për më shumë se dy vite, znj. Hoxholli është përkushtuar në përgatitjen e tij pa asnjë shpërblim, thjesht nga dëshira për të parë një talent të ri të zhvillohet dhe të arrijë potencialin e tij të plotë. Sipas saj, mësuesit kanë një rol të rëndësishëm jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në identifikimin dhe zhvillimin e talenteve që mund të bëjnë diferencën në të ardhmen.
Më 10 mars 2026, Lorisi, i shoqëruar nga nëna e tij dhe mësuesja Flutura Hoxholli, vizitoi zyrat qendrore të iute, ku u prit nga CEO i kompanisë, Akan Ajdini, në praninë e Stela Shkodranit, përfaqësuese e departamentit ligjor. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e iute shprehën vlerësimin dhe admirimin për rezultatet e tij, duke e inkurajuar të vazhdojë të ndjekë pasionin e tij dhe të synojë ëndrrën e tij më të madhe: të bëhet një shkencëtar i suksesshëm shqiptar.
Vetë Lorisi shpesh citon një thënie interesante që e frymëzon: “Një njeri e pyeti Ajnshtajnin: A ka jetuar ndonjëherë një njeri më i zgjuar se ty? Ai u përgjigj: Po, kanë jetuar, por nuk kanë pasur mundësinë të zbulohen.” Për Loris Qosen, origjina nuk është ajo që përcakton suksesin. Ajo që ka më shumë rëndësi është pasioni, përkushtimi dhe mundësia për të zhvilluar talentin.
Pikërisht këtë pasion dhe përkushtim pa edhe iute në rrugëtimin e tij. Duke mbështetur histori si ajo e Lorisit, iute beson se talentet e rinj meritojnë mundësinë për të shkëlqyer dhe për të çuar më tej potencialin e tyre – jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të ardhmen e vendit.
Gratë e forta zgjedhin financat digjitale për të ndërtuar pavarësinë e tyre financiare
Shqiptarët shpenzojnë për dashurinë, blerjet me këste janë në modë
Bli tani, paguaj më vonë… tashmë edhe në Prestige Home!