iute Group, një grup bankar i themeluar në Estoni, ka marrë miratimin nga Banka Kombëtare e Ukrainës dhe ka nënshkruar një marrëveshje që mundëson vazhdimin e krijimit të një banke dixhitale në Ukrainë. Në këtë linjë, grupi konfirmon se në të gjitha tregjet ku operon, synimi është transformimi në një bankë plotësisht dixhitale.
Më herët, iute Group fitoi një tender të hapur të organizuar nga Fondi Ukrainas i Garancisë së Depozitave. Kjo u pasua nga miratimi nga Banka Kombëtare e Ukrainës dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje që lejon zotërimin e aseteve të përzgjedhura dhe detyrimet e depozitave të bankës RWS, duke përfshirë transferimin e rreth 13,000 klientëve.
Tarmo Sild, CEO i iute Group tha se miratimi rregullator dhe nënshkrimi i marrëveshjes, shënojnë një kalim nga faza e përgatitjes, në atë të ekzekutimit. “Hapat e radhës do të jenë kapitalizimi i bankës, integrimi i ekipit fillestar dhe përmbushja e kërkesave të Bankës Kombëtare të Ukrainës, për të filluar operacionet e përditshme. Ne parashikojmë të nisim operacione të plota bankare dhe të fillojmë tërheqjen e klientëve të rinj në tremujorin e parë të vitit 2027” tha Sild.
Sipas Sild, zgjerimi gjeografik është pjesë e strategjisë së iute Group për të ndërtuar një bankë dixhitale për jetën e përditshme financiare të qytetarëve të Evropës Juglindore. “Vendimi për të hyrë në tregun Ukrainas bazohet në besimin tonë mbi të ardhmen e vendit dhe rolin e tij në hapësirën ekonomike Evropiane. Ne e shohim Ukrainën si një mundësi të madhe rritjeje për iute Group por edhe për Evropën, pasi lufta e ka shndërruar vendin në tregun financiar më dixhital, me popullsinë e gjashtë më të madhe në Evropë”, shtoi Sild. Hyrja në Ukrainë ndjek të njëjtat parime të disiplinuara të menaxhimit të riskut, të zbatuara në tregjet e tjera ku iute Group është prezente. “Investimi total i iute Group në Ukrainë nuk do të kalojë 15 milionë Euro, derisa të arrihen objektivat e përcaktuara të të ardhurave dhe fitimprurjes”, shpjegoi ai.
Banka do të quhet iuteBank dhe do të mbikëqyret nga Banka Kombëtare e Ukrainës. Licenca banka i mundëson iute-s të ofrojë të gjitha shërbimet kryesore bankare, duke përfshirë llogaritë për klientët individë apo korporatat, kartat, depozitat, kreditë, pagesat, operacionet e këmbimit valutor, si dhe shërbime të menaxhimit të parasë. iuteBank do të udhëhiqet nga Arthur Muravitsky, i cili ka një përvojë 22 vjeçare në industrinë financiare Ukrainase. Sipas Muravitsky, kontributi i Fondit të Garancisë së Depozitave dhe i Bankës Kombëtare të Ukrainës, ka qenë thelbësor në përparimin e projektit.
Olga Bilai, Drejtore e Përgjithshme e Fondit të Garancisë së Depozitave të Ukrainës, tha se ky rast tregon se tregu bankar i Ukrainës vepron në mënyrë transparente dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. “Marrëveshja me iute Group përfshin krijimin e një banke “urë”, marrjen e licencës, transferimin e aseteve dhe detyrimeve dhe më pas, shitjen e saj te një investitor I huaj brenda një afati kohor jashtëzakonisht të shkurtër. Kjo u bë e mundur nëpërmjet bashkëpunimit produktiv me Bankën Kombëtare të Ukrainës, Komitetin Antimonopol të Ukrainës, Depozituesin Kombëtar të Ukrainës dhe Komisionin Kombëtar të Letrave me Vlerë dhe Tregut të Aksioneve”, tha ajo.
iute Group është një grup bankar dixhital i fokusuar në shërbimet e përditshme financiare në Evropën Juglindore. E themeluar në vitin 2008 dhe me seli në Estoni, iute u shërben klientëve në Shqipëri, Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Përmes aplikacionit Myiute dhe operacioneve të tij lokale, iute ofron shërbime financiare dixhitale duke përfshirë pagesat, banking, financimin dhe ndërmjetësimin ne sigurime. Grupi iute financon operacionet e tij përmes kapitalit, depozitave dhe obligacioneve të siguruara të listuara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe Listën Kryesore të Nasdaq Baltic.
iute Group po hyn në Ukrainë për të ndërtuar një bankë plotësisht dixhitale
IuteCredit Albania: Përditësim i rëndësishëm!
5 pyetje që duhet t’i bësh vetes para se të marrësh kredi!